Gjykata Speciale shtyu vendimin për ish-krerët e UÇK-së, reagon Kurti: Besojmë në pafajësinë e tyre!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale për shtyrjen me dy muaj të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë qasje në zhvillimet e brendshme të kësaj gjykate.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale”, deklaroi Kurti.
Ai gjithashtu ngriti kritika për mungesën e transparencës së këtij institucioni ndaj Kosovës.
“Gjykata Speciale nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë e në shërbim të të cilit thuhet se është”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se, sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për mekanizma të tillë gjyqësorë të veçantë, por për një sistem të rregullt drejtësie.
“Edhe njëherë e theksoj, Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Ai iu referua edhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015, duke i konsideruar ato një moment të rëndë për shtetin.
“Amandamentimi numër 24 i Kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015 është një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të republikës tonë demokratike dhe të gjitha këto tash janë pasoja”, tha Kurti.
Në fund, ai ritheksoi bindjen e tij për pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Paneli Gjyqësor i Dhomave të Specializuara ka vendosur të zgjasë afatin për shpalljen e aktgjykimit për 60 ditë të tjera, deri të hënën më 20 korrik 2026, duke arsyetuar vendimin me kompleksitetin e çështjes.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, pothuajse tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, dhe ata vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




