Goditet grup kriminal me rrezikshmëri të lartë në Vlorë, 6 të arrestuar. Mes tyre dhe autori i plagosjes së 26-vjecarit dy ditë më parë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Grupi”, duke arrestuar 6 persona, mes tyre 2 të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar. Në pranga ka rënë edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur dy ditë më parë në Vlorë.

Personat e arrestuar dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e krimeve kundër personit dhe të narkotikëve, që vepronte kryesisht në Vlorë dhe Fier.

Sipas Policisë, anëtarët e grupit lëviznin të armatosur dhe përdornin edhe automjete të blinduara. Ata u kapën gjatë një operacioni të zhvilluar në një lokal në fshatin Vranisht.

Në pranga përfunduan F. Sh. (A.), 52 vjeç, N. D. (Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D., i njohur edhe me emrat A. Th. dhe I. D., 51 vjeç. Ky i fundit rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit në Leçe e kishte dënuar në vitin 2024 me 6 vjet e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës.

Gjatë të njëjtit operacion u kapën edhe T. A., 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së rëndë me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe D. Ç., 48 vjeç. Të dy ishin shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Si rezultat i operacionit, policia sekuestroi 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 telefona celularë, 1 850 euro cash, si dhe 3 automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri prej mjeteve ishte i blinduar.

Hetimet kanë zbuluar se një automjet tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, ishte përdorur nga T. A. për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së 26-vjeçarit F. L., ngjarje e ndodhur më 7 qershor në qytetin e Vlorës.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme