Hapet për qarkullim segmenti i zgjeruar te mbikalimi i Rinasit / Karakaçi: Së shpejti nis faza e re e autostradës deri në Durrës

Aktualitet | 6 muaj më parë

Segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës është tashmë i hapur për qarkullimin e mjeteve deri te mbikalimi i Rinasit.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve. 

Ministri Karakaçi deklaroi se ky aks rrugor ka kaluar tashmë në autostradë të Kategorisë A, duke shtuar dy korsi të reja për të lehtësuar trafikun.

 “Ky është një segment prioritar, sepse lidh portin e Durrësit me aeroportin e Rinasit dhe shfryn qarkullimin për hyrjen nga veriu drejt Tiranës,” tha ai. 

Ministri konfirmoi se është kontraktuar edhe faza e tretë e zgjerimit, që nis nga mbikalimi i Rinasit dhe shkon deri te mbikalimi i Laknasit.

 “Pas kësaj do të kemi edhe demontimin e mbikalimit të Rinasit, i cili sot krijon një ‘hinkë’ për qarkullimin e automjeteve. Projekti parashikon hyrje dhe rampa të reja për aeroportin,” u shpreh Karakaçi. 

Ai shtoi se puna për vijimin e mëtejshëm të aksit drejt Durrësit do të nisë së shpejti, ndërsa për segmentet e Korridorit Blu (Kashar–Lekaj, Lekaj–Fier) janë parashikuar investime të reja.

“Për vitin 2027 ishte planifikuar vijimi i segmentit Tiranë–Durrës, por nga diskutimet që kemi bërë do ta afrojmë për vitin 2026, në mënyrë që punimet të fillojnë sa më shpejt pas kilometrin 7, ku ndalen fazat e kontraktuara aktualisht,” theksoi ministri. 

Karakaçi njoftoi gjithashtu se në javët në vijim pritet shpallja e fituesit të garës për segmentin Milot–Balldren, një arterie rrugore që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin për zonat e Lezhës dhe Shkodrës. 

Nga ana e tij, Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, u shpreh se së shpejti do të nisë zbatimi i kontratës për gjelbërimin, që do t’i ndryshojë pamjen autostradës. Kozeli shtoi gjithashtu se punimet vijojnë në fazat e tjera të projektit.

“Ndërkohë jemi në fazë punimesh në fazën B, që përfshin nyjën e Laknasit, mbikalimin e Rinasit dhe zgjerimin e nënkalimit.”

Në fokus të qeverisë është edhe avancimi i projekteve të tjera madhore infrastrukturore në kuadër të Korridorit Blu. “Segmenti Kashar–Lekaj është në fazë përfundimtare të oponencës teknike dhe dokumentacionit, në mënyrë që të nisë zbatimi nga kontraktori. Ndërsa Milot–Balldren është në fazat përmbyllëse të procedurës dhe shumë shpejt, brenda dy-tre javësh, pritet shpallja e fituesit.”, – theksoi ministri, teksa theksoi rëndësinë e këtij të fundit për zonat veriore dhe turizmin:“Është një rrugë që ndikon në lehtësimin e trafikut për qytetet e veriut, kryesisht Shkodrën dhe Lezhën, si dhe gjatë sezonit veror kontribuon në zhbllokimin e qarkullimit në të gjithë bregdetin Adriatik.”

Hapja e këtij segmenti dhe avancimi i projekteve të tjera konfirmojnë vijimin e investimeve në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e cilësisë së transportit në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme