Hapja e vendeve të reja të punës në Gjirokastër – Fokus për 2026, punësimi i të rinjve 16–29 vjeç
Punësimet në qarkun e Gjirokastrës paraqiten në rritje gjatë periudhës nga janari e deri më tani. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit, gjatë kësaj kohe janë shpallur rreth 250 vende të lira pune, nga të cilat 53 janë ndërmjetësuar me sukses, duke u konkretizuar në punësime. Sektorët që kanë gjeneruar më shumë vende pune janë kryesisht përpunimi, prodhimi dhe turizmi, fusha që vijojnë të mbeten shtylla të rëndësishme të ekonomisë lokale.
“Kemi shpallur rreth 250 vende të lira pune nga të cilat gati 53 janë ndërmjetësuar. Këto punësime përgjithësisht kanë qenë në sektorin përpunues, prodhim por edhe turizëm”, u shpreh Marseda Xarba, Drejtoreshë e Zyrës së Punësimit.
Synimi për vitin 2026 është rritja e punësimit të të rinjve të grupmoshës 16–29 vjeç, përmes programeve të nxitjes së punësimit dhe trajnimeve profesionale.
“Viti 2026 është një vit i cili ka shumë sfida që është kryesisht punësimi i të rinjve, kjo jo vetëm nëpërmjet ndërmjetësimeve që ne bëjmë por edhe nëpërmjet programeve dhe garancisë rinore”, tha ajo.
Autoritetet theksojnë se përmirësimi i tregut të punës dhe bashkëpunimi me bizneset lokale mbeten prioritet, me qëllim krijimin e më shumë mundësive punësimi dhe mbajtjen e të rinjve në qarkun e Gjirokastrës.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




