Hetimet ndaj Hysenit, Balla: Nuk komentojmë dosjen. PS s’është avokatja e askujt, SPAK ka mbështetjen e plot për hetim të pavarur

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka theksuar se nuk do të komentojë hetimet dhe përmbajtjen e dosjes lidhur me rastin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
Balla tha se qeveria dhe Partia Socialiste kanë një qëndrim të qartë sa i përket hetimeve të drejtësisë, duke nënvizuar se nuk ndërhyjnë në dosjet e SPAK dhe se çdo zyrtar që nuk gëzon imunitet duhet t’i drejtohet gjykatës për të kundërshtuar çdo masë kufizuese të lirisë.
Sipas tij, në rastet kur personat kanë mandat parlamentar, vendimmarrja i takon Kuvendit, ndërsa ai kërkoi që t’i jepet fund përdorimit të paraburgimit përpara një vendimi gjyqësor përfundimtar.
“Unë nuk komentoj dosjet e SPAK-ut dhe nuk kam komentuar as dosje kur kam bërë vetë akuzën. Nuk komentoj përmbajtjen e dosjes kur ajo shkon në gjykatë. Lidhur me rastin, jemi të ndaluar me vendim gjykate që të mos komentojmë copëza nga dosja. Qeveria Rama ka përcaktuar dy standarde: ne nuk hyjmë në dosje, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar pa imunitet duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë në të gjitha format në gjykatë. PS-ja nuk është avokat mbrojtës i askujt. Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi vendos”, tha Balla.
Balla theksoi gjithashtu se Partia Socialiste mbështet punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar që hetimet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike.
“Ne mbështesim fuqimisht SPAK-un që të bëjë një hetim të pandikuar. Vlerësojmë maksimalisht punën e bërë nga SPAK-u në këto shtatë vite dhe i bëj thirrje që i njëjti prokuror që heton rastin në fjalë heton edhe udhëheqësin e opozitës. Nëse udhëheqësi i opozitës sulmon prokurorin çdo të hënë, është e papranueshme. Këtë e kemi diskutuar edhe me kolegët gjermanë. Prokurorët nuk duhet të sulmohen dhe drejtësia duhet të bëjë punën e saj të pandikuar. PS-ja mbështet punën hetimore të prokurorit. Kam besim që SPAK-u do të hetojë edhe rrjedhjen e informacioneve që, në një farë mënyre, ndikojnë në procesin e drejtë dhe të pavarur të hetimeve”, tha Balla.
Balla u ndal te çështja e arrestimeve dhe masave të sigurisë para një vendimi gjyqësor, duke përsëritur qëndrimin se Shqipëria duhet të shmangë përdorimin e tepruar të paraburgimit.
“Pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimit të gjykatës duhet t’i jepet fund. Shqipëria është ‘delja e zezë’ e Europës sa i përket paraburgimit. Sa i përket arrestimeve pa gjyq, Shqipëria nuk duhet ta bëjë veten ‘delen e zezë’. Rama ka të njëjtin standard gjithmonë, edhe në rastin në fjalë. Ndërkohë, ata që fërkojnë duart nga sukseset e reformës në drejtësi nuk duhet të harrojnë që është PS-ja ajo që mori angazhimin për ta bërë realitet këtë reformë”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




