Hoxhalli: Dokumenti i EBU-së përbën prioritetin më të rëndësishëm të RTSH. Plani i transformimit tashmë konkret dhe i detajuar

Aktualitet | 3 muaj më parë

Vlerësimi i EBU-së, i realizuar në fund të vitit 2025 mbi bazën e kornizës për transformimin e medias së shërbimit publik sipas standardeve të saj, ka nxjerrë në pah katër konkluzione kryesore për RTSH-në.

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit vjetor të institucionit për vitin 2025, theksoi se ky vlerësim është kthyer në një plan pune konkret dhe të detajuar për RTSH.

“Vlerësimi i EBU-së, i realizuar në fund të vitit 2025 mbi bazën e kornizës për transformimin e medias së shërbimit publik, sipas standardeve të saj, arriti në 4 konkluzione.

Së pari, ata theksojnë se portofoli i shërbimeve të RTSH tejkalon kapacitetet reale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionit. Racionalizimi i kanaleve nuk është më një opsion, por kusht themelor për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.

Së dyti, pesha e lartë e kostove fikse financiare dhe financimi publik i pamjaftueshëm e bëjnë të pamundur ekuilibrimin drejt përmbajtjes programore dhe teknologjisë, pa ndërhyrje të qarta strukturore dhe legjislative.

Së treti, infrastruktura teknologjike dhe asetet fizike janë të vjetruara, duke e ekspozuar transmetuesin publik ndaj një rreziku të lartë operacional në përditshmëri.

Së katërti, modeli organizativ ekzistues është i papërshtatshëm për epokën digjitale, por kapitali njerëzor profesional mbetet aseti më i çmuar mbi të cilin kjo reformë mund dhe duhet të mbështetet.

Trajtimi i këtyre gjetjeve është kthyer në një plan pune konkret dhe të detajuar për RTSH.

Me unanimitet të EBU-së, Këshilli Drejtues ka miratuar parimet dhe prioritetet e këtij transformimi. Aktualisht ky plan është në ekzekutim nga Drejtoria e Përgjithshme dhe po materializohet hap pas hapi me ndërhyrjet e para”, tha Hoxhalli.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme