I pranishëm në takimin me Salianjin, Aulon Kalaja: Më shumë një forum debati. S’jam pjesë e asnjë përçarje dhe as fraksioni
Takimi i zhvilluar mes anëtarit të kryesisë së PD-së, Ervin Salianji, anëtarit të Këshillit Kombëtar, Ilir Alimehmeti, si dhe disa prej kandidatëve më të votuar në listat e hapura në qarqe, duket se ka trazuar ujërat në opozitë.
I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, i cili në studion e emisionit “3D” në RTSH deklaroi se takimi kishte më shumë formën e një forumi debati.
“Ka qenë një forum më shumë si debat. Jam telefonuar nga zoti Salianji që të marr pjesë në takim. Secili ka sjellë eksperiencat e veta. Nuk është etike të bëj me dije diskutimet e mbajtura nga ata. Por unë nuk jam pjesë e asnjë partie tjetër politike, nuk jam pjesë e një lëvizje dhe as e një fraksioni. Unë jam munduar që PD-në ta çoj gjithmonë më djathtas, nuk ia kam arritur. Më shumë janë marrë me formën sesa me përmbajtjen,” tha Kalaja.
Ai shtoi se gjatë takimit ka ngritur dy çështje kryesore, ku e para lidhet me Kodin e ri Zgjedhor. Sipas tij, PD është ulur me PS për hartimin e një Kodi të ri pa u konsultuar me bazën dhe pa pyetur kandidatët që kanë qenë pjesë e garës elektorale. “Unë ulem për parime në tavolinë, jo për pazare,” theksoi Kalaja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




