Ibrahimaj: Qeveria synon 50 mijë lekë pagë minimale në 2026-ën, paga mesatare 1 mijë euro brenda katër vitesh

Qeveria shqiptare ka vendosur një objektiv ambicioz për të ardhmen e afërt ekonomike: rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë duke filluar nga viti 2026.
Ky njoftim u bë të martën nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës për shtyp “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”.
Ministrja theksoi se objektivi afatmesëm i qeverisë është që paga mesatare në vend të arrijë në 1 mijë euro brenda katër viteve të ardhshme.
Ministrja Ibrahimaj e vendosi masën e rritjes së pagave si thelbësore në strategjinë e vendit për fuqizimin e kapitalit njerëzor.
“Burimet njerëzore janë pasuria më e madhe e vendit. Rritja e pagave është thelbësore për të mbajtur fuqinë punëtore në vend dhe për të nxitur produktivitetin,” u shpreh ajo.
Për të siguruar një klimë financiare të qëndrueshme pas kësaj rritjeje, u bë e ditur se për 18 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të pagës minimale të re, nuk do të ketë rritje të taksave apo tatimeve për bizneset dhe qytetarët.
Duke prezantuar pasqyrën më të fundit të performancës ekonomike, Ibrahimaj theksoi se Shqipëria ndodhet në një cikël pozitiv zhvillimi, i cili reflektohet në rritjen e konsumit, investimeve dhe punësimit.
Ajo evidentoi se: “Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ka shënuar rritje prej 3.51%, një normë ndjeshëm më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian (1.5%) dhe vendet e rajonit (2.9%)”.
Kjo rritje, sipas saj, i atribuohet investimeve, konsumit, punësimit më të lartë, rritjes së pagave, si dhe importit dhe eksportit.
Fokusimi i politikave të ardhshme
Ministrja renditi fokusin e politikave të qeverisë në vijim, të cilat do të synojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës:
- Rritjen e punësimit dhe mbështetjen për fuqinë punëtore.
- Nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit, veçanërisht në sektorët digjitalë dhe teknologjikë.
- Fuqizimin e shtresës së mesme si themel i një shoqërie të qëndrueshme.
- Investime në sektorët strategjikë si bujqësia, energjia, teknologjia dhe turizmi.
- Përmirësimin e klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja.
Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe monetar si bazë për vazhdimësinë e reformave strukturore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




