Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe PNUD për një Ballkan më të gjelbër

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (PNUD) firmosën dje një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, që synon forcimin e reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.
Dokumenti u nënshkrua nga Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, dhe Ivana Zhivkoviç, ndihmëssekretare e përgjithshme e OKB-së dhe drejtoreshë e Zyrës Rajonale të PNUD për Evropën dhe CIS.
Ky partneritet i ri do të mbështesë zbatimin e kornizave rajonale si Strategjia dhe Programi i Punës i RCC-së 2026-2028, Strategjia SEE2030, Plani i Veprimit për Tregun Rajonal të Përbashkët, si dhe Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Synimi është rritja e ndikimit, shmangia e mbivendosjeve dhe krijimi i një rajoni më të integruar.
“Kjo marrëveshje na ndihmon të ecim më shpejt për atë që ka rëndësi për njerëzit – shërbime më të mira, rritje më të gjelbër, institucione më të forta dhe një rajon më të qëndrueshëm – duke përafruar platformat rajonale të RCC-së me ekspertizën dhe shtrirjen e PNUD-it,” u shpreh Kapetanoviç.
Sipas marrëveshjes, RCC dhe PNUD do të zhvillojnë koordinime të rregullta, shqyrtime vjetore të progresit dhe mekanizma të përbashkët pune për zbatimin. Nënshkrimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së në SHBA gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe vjen menjëherë pas takimit ministror të Nismës Adriatiko-Joniane, duke i paraprirë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




