Këshilli i Evropës diskuton ngritjen e qendrave për azilkërkuesit në vende të treta

Ministrat evropianë do të mblidhen këtë javë në Moldavi për të diskutuar planet mbi krijimin e qendrave në vende të treta, ku do të dërgohen mijëra azilkërkues të refuzuar. Takimi pritet të mbahet të premten në kryeqytetin Chișinău dhe do të shoqërohet me një deklaratë politike që njeh të drejtën e shteteve për të kontrolluar kufijtë e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, tha se ky është një hap përpara, pasi çështja e qendrave deri më tani është diskutuar vetëm në nivel kombëtar, ndërsa tani do të trajtohet në nivel shumëpalësh. Ai theksoi se, pavarësisht planeve për zhvendosjen e emigrantëve, është vendimtare që ata të mbeten të mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Është një përparim, në kuptimin që po arrijmë të trajtojmë elemente politike që më parë diskutoheshin në nivel kombëtar. Pra, qendrat do të diskutohen dhe duhet të shohim si mund të zbatohen. Është e rëndësishme që emigrantët e larguar nga territori evropian të mbeten të mbrojtur nga ECHR. Ne po merremi me qenie njerëzore në territorin evropian. Kjo do të thotë që ata janë të mbrojtur nga Gjykata Evropiane dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo është vendimtare,” tha Berset.
Disa ministra të brendshëm, përfshirë sekretaren e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood, kanë kërkuar ndryshime në interpretimin e konventës, duke argumentuar se ligjet aktuale kanë penguar “largimin e kriminelëve të huaj dhe azilkërkuesve të padëshiruar”.
Organizatat e refugjatëve paralajmërojnë se dobësimi i konventës rrezikon mbrojtjen e grupeve më të cenueshme, përfshirë ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.
Bashkimi Evropian ka diskutuar mundësinë e krijimit të qendrave të kthimit, me disa vende anëtare si Danimarka, Austria, Greqia, Gjermania dhe Holanda të përfshira në bisedime. Si vende pritëse janë përmendur Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.
Ky është takimi i parë ku ministrat e Këshillit të Evropës diskutojnë në mënyrë të përbashkët mbi këto qendra, duke e bërë temën një nga më të debatueshmet në politikën evropiane të emigracionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




