Këshilli i Ministrave miraton rregulloren për rezervën strategjike të armatimeve

Aktualitet | 5 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e rezervës së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura (FA), një masë strategjike që synon garantimin e gatishmërisë ushtarake të vendit në situata të përshkallëzuara të sigurisë. Ky vendim detyron subjektet e licencuara në fushën e industrisë së mbrojtjes të mbajnë në dispozicion sasi specifike të arsenalit ushtarak.

Përcaktimi i sasisë së rezervës

Sipas rregullores së re, sasia e armatimeve dhe pajisjeve që subjektet duhet të mbajnë në rezervë përcaktohet nga Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe miratohet nga Ministri i Mbrojtjes, bazuar në nevojat strategjike dhe kapacitetet logjistike të çdo subjekti.

Përqindjet e detyrueshme për mbajtjen e rezervës janë si vijon:

  • Subjektet private (prodhues): Deri në 5% të kapacitetit të përgjithshëm vjetor të prodhimit.
  • Subjektet private (tregtues): Deri në 5% të inventarit të destinuar për tregtim.
  • Shoqëria shtetërore: 25% e kapacitetit vjetor të prodhimit (ose sipas vendimit të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë).

Në rast aktivizimi, çmimi i blerjes së këtyre rezervave nga shteti nuk mund të tejkalojë çmimin mesatar të shitjeve të vitit paraardhës tatimor.

Kushtet e ruajtjes dhe aktivizimi

Subjektet e licencuara janë të detyruara të garantojnë kushte të certifikuara sigurie, që përfshijnë ambiente magazinimi me akses të kontrolluar, sisteme monitorimi 24/7 dhe mirëmbajtje periodike teknike.

Aktivizimi i rezervës kryhet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes në raste kritike:

  1. Shpallje e gjendjes së luftës.
  2. Rrezik i afërt dhe konkret i agresionit ushtarak ndaj Shqipërisë.
  3. Rrezik i afërt dhe konkret i agresionit ushtarak ndaj aleatëve strategjikë.

Pas marrjes së njoftimit, subjekti ka detyrimin ligjor t’i japë përparësi vënies në dispozicion të rezervës, duke anashkaluar çdo detyrim tjetër ndaj palëve të treta.

Monitorimi dhe sanksionet

Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është institucioni përgjegjës për monitorimin, inspektimin dhe verifikimin e gjendjes së rezervave. Çdo dështim për të mbajtur këto rezerva apo transferim i tyre për qëllime të tjera do të çojë në sanksione të ashpra.

Neni 10 i vendimit parashikon masën më drastike për subjektet që nuk përmbushin detyrimet: revokimin e licencës së prodhimit ose tregtimit. Pas përfundimit të gjendjes emergjente, çdo sasi e papërdorur e rezervës së aktivizuar lirohet nga ky detyrim dhe kthehet në dispozicion të lirë të subjektit për veprimtari tregtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme