Kina, e zemëruar me SHBA-në për mbështetjen ndaj Tajvanit: Po luan me zjarrin

Botë | 2 vite më parë

Qeveria e Kinës e ka kundërshtuar të dielën vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë më shumë ndihmë ushtarake dhe për t’i shitur armë Tajvanit, duke thënë se Uashingtoni “po luan me zjarrin”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, autorizoi të shtunën furnizimin e Tajvanit me materiale dhe shërbime nga Departamenti i Mbrojtjes, si dhe ofrimin e edukimit dhe trajnimit ushtarak. Kjo ndihmë kap vlerën e rreth 571 milionë dollarëve.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi të premten se ka aprovuar shitje armësh për Tajvanin në vlerë 295 milionë dollarë.

Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje SHBA-së në një komunikatë që ta ndalë armatosjen e Tajvanit dhe t’i ndalojë ato që i quajti “lëvizje të rrezikshme që minojnë paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”.

Tajvani është një ishull demokratik me 23 milionë banorë, por Qeveria kineze pretendon se ai është territor i saj dhe thotë se duhet të vihet nën kontrollin e saj.

Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949, pas një lufte civile e cila mbaroi me Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.

Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë asnjëherë pesë e Republikës së Popullit të Kinës, por Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet ta rimarrë qoftë edhe me forcë.

Duke i shitur armë dhe e mbështetur ushtarakisht, SHBA-ja synon ta ndihmojë Tajvanin të mbrohet dhe ta parandalojë Kinën nga kryerja e ndonjë sulmi./ REL

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme