Komisioni i Jashtëm miraton dy ligje kyçe për barazinë gjinore dhe Kodin Rrugor, zhvillon dëgjesë për ambasador në Zvicër me Ermal Dredhën

Komisioni Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, i drejtuar nga Igli Hasani, zhvilloi sot një mbledhje intensive ku miratoi dy projektligje të rëndësishme dhe zhvilloi një seancë dëgjimore për një kandidaturë diplomatike.
Komisioni miratoi në parim dhe në tërësi Projektligjin “Për barazinë gjinore”. Ky projektligj, i cili u prezantua nga Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale,Denada Seferi, synon rregullimin e çështjeve themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private.
Arritjen e trajtimit të barabartë dhe mundësive të barabarta, pavarësisht përkatësisë gjinore.
Relatorja Iris Luarasi theksoi se nisma është në përputhje të drejtpërdrejtë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022-2030 dhe me kërkesat e procesit të integrimit evropian.
Komisioni miratoi gjithashtu Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë””.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, shpjegoi se qëllimi është të sigurohet përputhshmëria me direktivën e Këshillit 96/53/BE, e cila përcakton përmasat dhe peshat maksimale për mjetet që qarkullojnë në trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.
Relatorja Romina Kuko nënvizoi se vendosja e këtyre standardeve evropiane do të përmirësojë konkurrencën ndërmjet operatorëve të transportit të rëndë, do të sjellë siguri rrugore të shtuar dhe do të shkaktojë ndotje mjedisore më të pakët.
Dëgjesë për ambasador në Zvicër
Në kuadër të procedurave diplomatike, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me Ermal Dredhën, ish- kryetar I Bashkisë në Vlorë, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, rezident në Konfederatën e Zvicrës dhe jo-rezident në Principatën e Lihtensheinit.
Pas prezantimit të objektivave dhe programit nga Dredha, kryetari Hasani konfirmoi se komisioni, sipas procedurës, do t’i përcjellë Presidentit të Republikës opinionin pozitiv për këtë kandidaturë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




