Laureatja e Nobelit për Paqe: Izraeli ka shkatërruar të gjithë sistemin arsimor në Gazë

Duke folur në një samit global mbi arsimimin e vajzave në vendet myslimane, Malala Yousafzai iu drejtua konferencës se si Izraeli ka shkatërruar objektet arsimore të Gazës.
Laureatja e Nobelit për Paqe, Malala Yousafzai, tha sot se do të vazhdojë të denoncojë shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut nga Izraeli në Gazë.
Yousafzai foli në samitin global mbi arsimimin e vajzave në vendet myslimane të organizuar nga Pakistani dhe ku morën pjesë përfaqësues nga dhjetëra vende.
“Në Gazë, Izraeli ka shkatërruar të gjithë sistemin arsimor. Ata kanë bombarduar të gjitha universitetet, kanë shkatërruar më shumë se 90 për qind të shkollave dhe kanë sulmuar pa dallim civilët që strehoheshin në ndërtesat e shkollave. Do të vazhdoj të denoncoj shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut nga Izraeli”, u shpreh ajo.
Yousafzai u qëllua nga militantët pakistanezë, kur ishte një nxënëse 15-vjeçare pasi ishin tërbuar nga aktivizmi i saj në çështjet e arsimit.
Ajo u evakuua në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa më pas u bë fituesja më e re e çmimit Nobel në moshën 17-vjeçare.
“Fëmijët palestinezë kanë humbur jetën dhe të ardhmen. Një vajzë palestineze nuk mund të ketë të ardhmen që meriton nëse shkolla e saj bombardohet dhe familja e saj vritet” shtoi ajo.
Ofensiva ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë 46,537 njerëz, shumica civilë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të konsideruara të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



