Lirohet nga burgu ish-presidenti i Hondurasit, pas faljes së Donald Trump
Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i dënuar me 45 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, është liruar pas faljes së dhënë nga presidenti amerikan Donald Trump, duke mbyllur një çështje që kishte tronditur politikën në rajon.
Ai u largua nga burgu federal “Hazelton” në Virxhinian Perëndimore, gjë që u konfirmua nga një zëdhënës i Byrosë Federale të Burgjeve dhe u pasqyrua edhe në të dhënat zyrtare të institucionit.
Lirimi i tij vjen vetëm pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Honduras, ndërsa Trump e mbrojti publikisht vendimin gjatë një deklarate në bord të “Air Force One”.
Prokurorët amerikanë thonë se rasti Hernández tregoi ndikimin e thellë të karteleve të drogës në Honduras, por falja e tij ndodh në një moment kur Shtëpia e Bardhë ka nisur një ofensivë të fortë kundër trafikut të lëndëve narkotike.
Muajt e fundit, forcat amerikane kanë goditur disa barka që dyshoheshin se transportonin drogë drejt veriut, duke shkaktuar debate të mëdha në Amerikën Latine.
Uashingtoni i konsideron këto sulme veprime të ligjshme kundër karteleve, ndërsa kritikët thonë se ato shkelin kufijtë e së drejtës ndërkombëtare dhe shihen si presion ndaj presidentit venezuelas Nicolas Maduro.
Lirimi i Hernandezit u prit me kënaqësi nga bashkëshortja e tij, Ana Garcia, e cila falënderoi publikisht Donald Trump për vendimin, duke e quajtur atë “një akt drejtësie”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




