Lufta kundër migracionit të jashtëligjshëm, Britania prezanton reforma, frymëzuar nga sistemi danez
Emigrantët që iu është dhënë azil në Mbretërinë e Bashkuar duhet të presin 20 vite para se të vendosen në atë vend në mënyrë të përhershme. Kjo sipas planeve më të fundit të qeverisë laburiste të kryeministrit Kir Starmer, që si model kanë marrë sistemin danez të azilit, detajet e të cilave pritet të bëhen publike të hënën, dhe nënë të cilat ata që kanë marrë azil do të lejohen të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar vetëm përkohësisht, dhe statusi i tyre i refugjatit do të rishikohet shpesh.
Personat, vendet e të cilëve konsiderohen të sigurt do të urdhërohen të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Aktualisht refugjatët që iu është dhënë azili mund të aplikojnë për të jetuar në Britani pas pesë vitesh dhe për të marrë më pas nënshtetësinë, por nën planet e reja kjo periudhë ka shkuar në 20.
Me synim reduktimin e emigracionit të jashtëligjshëm, do të reduktohet ndjeshëm mbrojta për refugjatët dhe do t’i jepet fund në mënyrë automatike përfitimeve për azil kërkuesit.
Aktualisht, këto përfitime përfshijnë të drejtën për t’u strehuar, si dhe një pagesë javore prej 49.18 paund për person për të mbuluar kostot e zërave si ushqime dhe veshje si dhe pagesa shtesë për gratë shtatzëna dhe fëmijët e mitur.
Por azilkërkuesit nuk do t’i kenë më këto përfitime, në momentin që janë në marrëdhënie pune, zotërojnë asete, angazhohen në aktivitete kriminale apo punojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Kërkesat për azil në Britani janë në nivelin më të lartë. Rreth 111 mijë persona aplikuan për azil nga qershori 2024 deri në qershor të 2025-ës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




