Malaj: Buxheti për mbrojtjen arrin në 69.2 miliardë lekë, përmbushim angazhimet ndaj NATO-s

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Shqipëria ka rritur në mënyrë të konsiderueshme investimet në sektorin e mbrojtjes, në përmbushje të angazhimeve të saj si vend anëtar i NATO-s.
Sipas Malajt, buxheti për mbrojtjen ka njohur një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, duke kaluar nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2020 në 52.6 miliardë lekë në vitin 2025, ndërsa për vitin aktual ka arritur në 69.2 miliardë lekë.
“Shqipëria vijon të përmbushë me përgjegjësi angazhimet e saj në kuadër të NATO-s, duke rritur në mënyrë të qëndrueshme investimet për mbrojtjen dhe sigurinë”, deklaroi Malaj.
Ministri theksoi se këto investime synojnë modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në sigurinë kolektive të Aleancës. Ai nënvizoi se vendi vijon të respektojë me përgjegjësi detyrimet e marra në kuadër të NATO-s, duke e konsideruar mbrojtjen dhe sigurinë si një prioritet strategjik.
Të dhënat e publikuara tregojnë një rritje të qëndrueshme të financimeve për mbrojtjen në vitet e fundit, në funksion të forcimit të sigurisë kombëtare dhe përmbushjes së objektivave të vendosura nga Aleanca.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




