Manastirliu në Fier takim me drejtuesit e shkollave: Pezullim deri në zbardhjen e ngjarjes të drejtuesve dhe oficerit të sigurisë të shkollës në Cakran

Sociale | 2 vite më parë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave në Fier për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të mesme në Cakran në Fier ku një nxënës ka goditur me mjet të mprehtë një nxënës tjetër.

Bëhet e ditur se, Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.

Në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.

Incidenti, sipas burimeve nga Policia e Fierit, ka nisur pas një debati të krijuar në rrjetin social Snapchat. Tensioni midis dy nxënësve 17-vjeçarë ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku situata ka agravuar deri në përdorimin e një mjeti prerës nga njëri prej tyre. Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme