Marilyn Monroe, të vërtetat tronditëse/ “Bionde” zbulon njeriun pas ikonës

Kulturë | 12 muaj më parë

Ka ardhur në shqip libri “Bionde” nga shkrimtarja Joyce Carol Oates, një rindërtim artistik i jetës së Marilyn Monro-së.

Botuesja Loreta Berhami, në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, shprehet se romani shkon përtej fakteve duke sjellë një analizë të botës së brendshme të ikonës së kinemasë dhe kulturës pop.

“Bukuria dhe vështirësia e librit është që rrëfen një histori që tashmë dihet nga të tërë, historia e Marilyn Monroe-së. Faktet që kanë ndodhur në jetën e saj janë aty, nuk kanë ndryshuar. Por këto fakte janë veshur me mishin e asaj që autorja ka menduar se ishte jeta e brendshme e Marilyn-it”.

Në roman marrim përgjigjet e shumë pyetjeve, që publiku i gjerë ka ngritur kur ka mësuar se ç’ka ngjarë në jetën e saj.

“Ka shumë prapaskena: çfarë ndodhi kur ishte fëmijë kur jetonte me nënën që kishte probleme psiqike, çfarë ndodhi kur bëri audicionin e parë si aktore, çfarë ndodhi mbasi u bë e famshme, çfarë ndodhi në martesën e saj të parë, si e përjetonte lidhjen me Gio di Maggio-n, çfarë ndodhi kur takoi Kennedy-n? Ka disa skena të frikshme dhe tronditëse. Kur libri u ekranizua para 5 vitesh, u mirëprit nga publiku kritik. Ndodhi edhe që një pjesë e publikut të gjerë u skandalizua sepse ta shfaqësh Marilyn-in, këtë idhull, këtë figurë epikë tashmë të poshtëruar, deri diku të përdhosur është shumë e vështirë në imagjinatën publike, i dëshpëron njerëzit, i zhgënjen. Pati një revoltë do të thoja”.

Marilyn Monroe kishte një jetë të vështirë, nisur nga sfidat e saj si fëmijë por edhe ajo çfarë u bë nën dritat e reflektorëve.

“Marilyn-i është pjellë e marketingut. Është një personazh komplet i trilluar. Norma Jean (emri i vërtetë) i flet vetes, flet me të atin që nuk ka njohur kurrë, flet me nënën me të cilën ajo ka vuajtur shumë. Është një njeri shumë i thellë, me ndienja autentike, mbi të gjitha është shumë e zgjuar, shumë intuitive, është artiste në shpirt. Kjo më ka bërë të bie në dashuri me atë personazh.”

Berhami tregon arsyen pse vendosi ta botojë këtë libër.

“Të gjithë e dimë si ka mbaruar historia e Marilyn-it, megjithatë kur e lexoja librin shpresoja që ajo do e shpëtonte veten e saj, do e gjente një mënyrë për të dalë nga vorbulla. Është aftësia e jashtëzakonshme e shkrimtares të krijojë një personazh mbi një mega-personazh që është në subkoshiencën e të gjithëve ne. Kur ti thua emrin Marilyn, ti mendon për Monro-në”.

Sipas botueses, Joyce Carol Oates është një shkrimtare e jashtëzakonshme.

“Është një shkrimtare amerikane, jashtëzakonisht e njohur sidomos në rrethet letrare. Ajo është në mënyrë rutinore pjesë e shortlist-ave për çmimin Nobel. Ka një fuqi përshkrimi dhe një fuqi fjale. Për mua të paktën, libri ‘Bionde’ më ngjall të njëjtat ndjesi që kam pasur kur kam lexuar ‘Uliksin’. Është shumë i arrirë. Është letërsi shumë e madhe, për ata lexues të sofistikuar që duan të lexojnë diçka të mirë”.

Libri është përkthyer nga Erdi Ibro, i cili është në mesin e kandidatëve finalistë për çmimin “Përkthyesi më i mirë i vitit” në Panairin e Librit, Tirana 2025.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme