Marrëveshja për financimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, Balluku: Gur kilometrik u vendos për transportin hekurudhor

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.
Në një video në Instagram, Balluku e konsideroi këtë marrëveshje si një “gur kilometrik” për transportin hekurudhor në Shqipëri. Ajo tha se kjo vepër pritet të dorëzohet në vitin 2028.
Po ashtu, Ministrja tha se edhe ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës është drejt fundit dhe si ndërtim pritet të dorëzohet në vitin 2025, ndërsa në të njëjtin vit pritet të nisë edhe ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.
“Nënshkruam sëbashku me Bankën Europiane për Investim marrëveshjen për hapin e parë të hekurudhës së Korridorit VIII, një marrëveshje që i jep një tjetër grurë kilometrik Shqipërisë në zhvillimin e transportit hekurudhor. Durrës-Rrogozhinë, duke nisur kështu një rrugëtim që do të ndërlidhet edhe me hapat e tjerë që kemi hedhur për Korridorin VIII. Të gjithë këto komponentë po plotësohen një pazëll të madh të transportit hekurudhor.
Tashmë jemi në hapat e fundit të ndërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës e cila si ndërtim dorëzohet në vitin 2025, duke i lënë vitit 2026 plotësimin e komponentëve të tjerë, elektrifikimin e kësaj hekurudhe. Gjatë 2025 nisim ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Parashikohet që këto punime të përfundojnë në vitin 2029. Në ditët në vazhdim do të kemi edhe prezantimin e një projekti kombëtar për hekurudhën e Kombit që do prezantohet në Shkodrës, ku do të jetë edhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë. Brenda këtij viti do të kemi edhe një projekt të plotë për marrëveshjen që u firmos sot e cila parashikohet të dorëzohet si vepër në vitin 2028. Të gjitha këto risi e përafrojnë Shqipërinë akoma më shumë drejt BE-së”, tha ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



