Merrte para nga qytetarët për të ndikuar në çështjet e tyre gjyqësore, GJKKO dënon me shërbim prove avokatin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar avokatin Bardhi Koçi për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, në tre episode të ndryshme. Vendimi u dha më 17 dhjetor 2025, pas një gjykimi të zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
Sipas vendimit të gjykatës, Bardhi Koçi u dënua fillimisht me 2 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul me një të tretën, duke përfunduar në 1 vit e 8 muaj burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vënë Koçin në provë për një periudhë 3 vjet e 4 muaj. Po ashtu, atij i është ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit për 3 vite dhe është vendosur nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.
Çështja lidhet me akuzat se Koçi, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë edhe zyrtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka marrë para nga klientë të ndryshëm duke premtuar se do të ndërhynte me ndikim të paligjshëm te gjyqtarë dhe funksionarë të drejtësisë. Në një nga rastet, ai i kërkoi 1500 euro Pranvera Meshit, e cila ishte në gjykim në Gjykatën e Tiranës për falsifikim dokumentesh shëndetësore, me qëllim që të ndikonte te gjyqtari i çështjes. Sipas SPAK, Meshi i ka dhënë Koçit 1000 euro, por ndikimi i premtuar nuk është realizuar.
Dy episodet e tjera kanë të bëjnë me persona të akuzuar për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga të cilët Koçi ka marrë përfitime monetare duke pretenduar se do të ndikonte te gjyqtarë dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore. Në një rast, paratë janë marrë për të përshpejtuar zhvillimin e seancës gjyqësore, ndërsa në rastin tjetër për të ndikuar në aktin e ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike të sekuestruar.
Në të njëjtën çështje, Gjykata shpalli fajtore edhe Pranvera Meshi për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ajo u dënua me 8 muaj burg, pas uljes së dënimit për gjykim të shkurtuar, por gjykata vendosi përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit.
SPAK ka bërë të ditur se në dosjen hetimore janë evidentuar edhe dy raste të tjera të dyshuara për ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga Bardhi Koçi, për të cilat hetimet vijojnë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




