Meta mbi dy orë para prokurorëve të SPAK, avokati: U pyet për lobimin në SHBA

Pas më shumë se dy orësh në SPAK përfundon marrja në pyetje e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, deklaroi për mediet se presidenti i PL-së (i arrestuar) u pyet vetëm për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot në orën 10 e gjysmë ishte planifikuar pyetja e z. Ilir Meta Meta nga prokurori z. Kllapi dhe oficeri Maksim Bejko.
Në fakt pyetja filloi me një kërkesë të z. Meta, i cili donte të dinte se ç’bëhet me kallëzimin e depozituar në lidhje me rrëmbimin që i është bërë me ekzekutimin e masës “arrest me burg” në datë 21 tetor. Por prokurorët thanë që kjo çështje nuk u është caktuar atyre.
Sot u pyet për lobimin në Amerikë. Z. Meta ka qenë bashkëpunues dhe sqarues për aq sa kishte dijeni dhe mbante mend pa iu referuar akteve të cilat do na vihen në dispozicion dhe për detaje të tjera që do të ketë interes organi i hetimit do japë shpjegime më të detajuara. Sot procesverbali u firmos dhe seanca u realizua. Prokurori ishte vetëm me oficerin e policisë gjyqësore. Seanca sot ishte e dedikuar. U drejtuan pyetje për lobimin”, deklaroi Gjokutaj.
Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut. Ndaj Metës, SPAK ka ngritur dyshime për pasurinë e tij dhe për korrupsion e pastrim parash.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2022, SPAK-u, në kuadër të hetimit nisur ndaj Metës, nisi një letërporosi në SHBA ku kërkoi të dhëna ku ishin regjistruar kompanitë e lobimit në Departamentin e Drejtësisë atje.
SPAK-u i nisi hetimet pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendonte se për llogari të LSI-së – para ndryshimit të emrit në Partia e Lirisë – u shpenzuan 700.000 dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




