Ministria e Financave paraqet Strategjinë e re të Menaxhimit të Borxhit 2025-2029

Ekonomi | 1 vit më parë

Ministria e Financave ka propozuar për miratim një projektvendim për Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2025-2029. Ky dokument synon të përcaktojë mënyrat e financimit të deficitit buxhetor për pesë vitet e ardhshme, me objektiv kryesor uljen e riskut dhe kontrollin e kostos, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së borxhit shtetëror.

Në thelb, strategjia ka për qëllim të sigurojë që huamarrja shtetërore të jetë në përputhje me nevojat buxhetore dhe të mbajë një balancë të shëndetshme mes kostos dhe riskut, shkruan rtsh.al.

Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj, miratimi i këtij dokumenti pritet të rrisë efikasitetin në menaxhimin e borxhit dhe transparencën ndaj investitorëve.

Dokumenti, i cili është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse, përcakton dy objektiva parësorë:

  • Plotësimi i nevojave për financim

Sigurimi i fondeve të nevojshme në kohë dhe me kosto sa më të ulët për të mbuluar shpenzimet e qeverisë, duke ruajtur njëkohësisht nivele të pranueshme të ekspozimit ndaj riskut.

  • Përmirësimi i tregut të brendshëm

Zhvillimi i mëtejshëm i tregut primar dhe sekondar të titujve shtetërorë, duke rritur transparencën dhe parashikueshmërinë për investitorët.

Në kuadër të këtyre objektivave, strategjia parashikon disa orientime specifike si ulja e borxhit në valutë të huaj. Kjo lëvizje synon të zvogëlojë ekspozimin e vendit ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.

Rritja e jetëgjatësisë së borxhit të brendshëm, pasi duke zgjatur afatet e maturimit të borxhit, synohet të minimizohen rreziqet e rifinancimit në afat të shkurtër.

Përmirësimi i treguesve të borxhit ka tw bwjw me adresimin e borxhit që maturohet brenda një viti dhe atij me norma interesi që ndryshojnë shpesh.

Për të arritur këto qëllime, ministria do të publikojë një plan vjetor të huamarrjes, do të menaxhojë programin e “Market Maker” dhe do të përshtatë plane për blerjen e titujve shtetërorë (Buy-back) për të optimizuar portofolin e borxhit.

Strategjia, e cila është e vlefshme deri në fund të vitit 2029, zëvendëson atë aktuale që skadon në 2026 dhe është në përputhje me kornizën makro-fiskale dhe politikat monetare të Bankës së Shqipërisë. Ajo merr në konsideratë skenarë të ndryshëm financimi për të siguruar një menaxhim sa më efikas të borxhit të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme