Ministria e Pushtetit Vendor dhe UBT, partnerë për shërbime më të mira publike

Aktualitet | 2 vite më parë

Ministria e Pushtetit Vendor dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi, që ka për qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin profesional të administratës vendore.

Ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë fjalës së tij pas firmosjes së marrëveshjes, theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave nga pushteti vendor dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit të vendit.

“Bashkitë duhet të përgatiten për të ushtruar funksionet e tyre dhe të kapin momentin e integrimit europian. Ky do të jetë fillimi i një partneriteti të madh nga e cila do të lindin edhe fusha të reja bashkëpunimi,” u shpreh z. Mazniku.

Ai vuri në dukje se bashkitë duhet të ndryshojnë mentalitetin dhe të shohin veten si përgjegjëse për zhvillimin ekonomik të vendit, duke u fokusuar në krijimin e mundësive për rritjen dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.

“Bashkëpunimi me Universitetin është një mënyrë se si të kemi mundësinë që një grup njerëzish, që kanë diturinë, njohjen, kërkimin shkencor dhe e kanë kapacitetin për të bërë ndërveprimin midis dijes dhe funksionalitetit të përditshëm të bashkive,” deklaroi ministri.

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve dhe politikave publike, duke ofruar mundësi për studentët dhe për administratën vendore.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme