Ministrja Ibrahimaj: Faktet zyrtare tregojnë rritje të pagave dhe inflacion nga më të ulëtit në rajon

Ekonomi | 12 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë rubrikës së saj “Ekonomia flet me fakte,” ka hedhur poshtë një shifër të qarkulluar që pretendonte se 55% e shqiptarëve nuk arrijnë të mbyllin muajin.

Ministrja deklaroi se kjo shifër nuk ekziston në asnjë burim zyrtar, përfshirë INSTAT, Bankën e Shqipërisë apo Bankën Botërore, duke sugjeruar se mund të jetë produkt i “ndonjë departamenti imagjinar statistikor të opozitës, që punon me ndjesi dhe jo me shifra.”

Sipas Ministres Ibrahimaj, të dhënat zyrtare tregojnë një progres të qartë. Sipas saj, paga minimale është dyfishuar në më pak se pesë vjet, dhe pagat janë rritur me një ritëm më të shpejtë se çmimet.

Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, ajo theksoi se Shqipëria ka pasur inflacionin më të ulët në rajon gjatë dy viteve të fundit dhe se konsumi dhe kursimet e familjeve janë në rritje.

Masat mbështetëse për familjet dhe biznesin e vogël

Ibrahimaj renditi disa masa fiskale dhe sociale që mbështesin familjet dhe sipërmarrjet ku veçoi arsimin publik që është falas, dhe librat për ciklin bazë subvencionohen nga shteti.

Sipas saj, çmimi i energjisë elektrike për familjet nuk është rritur, por është ulur, ndërsa transporti publik ka mbetur pothuajse i pandryshuar.

“Taksat për biznesin e vogël. 99% e bizneseve të vogla përfitojnë nga përjashtimi i taksës mbi fitimin (vlera e mbajtur në xhep rreth 17 miliardë lekë në vit), dhe vetëm 27% e subjekteve janë me TVSH. Individët me të ardhura deri në 50 mijë lekë në muaj nuk tatohen.”, tha ajo.

Ministrja përfundoi duke premtuar si angazhim rritjen e mëtejshme të pagës minimale dhe mesatare, duke ndjekur parimin “ata që fitojnë më pak, paguajnë më pak”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme