Miratohet marrëveshja Shqipëri–Itali për pensionet, i kalon Senatit

Dhoma e ulët e parlamentit italian miratoi me 273 vota pro dhe asnjë kundër ratifikimin dhe zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në Romë më 6 shkurt 2024 mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve, Igli Hasani dhe Antonio Tajani.
Dokumenti rregullon përfitimet e pensioneve, papunësisë, sëmundjeve dhe amësisë së atyre që ushtrojnë ose kanë ushtruar një aktivitet si të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.
Projektligji tani i kalon Senatit dhe nëse edhe dhoma e lartë e parlamentit e miraton, marrëveshja për sigurimet shoqërore quhet e ratifikuar plotësisht.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë, që përfitojnë pension në Shqipëri.
Për të marrë pension në Itali duhen 20 vite pune, ndërsa për të përfituar pension në Shqipëri mjaftojnë 15 vite pune.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




