Miratohet projekti “FIFA Arena”, FSHF bashkëpunon me FIFA-n dhe bashkitë për fusha të reja futbolli

Futboll Vendi | 46 minuta më parë

Në mbledhjen e sotme të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”, Komiteti Ekzekutiv i FSHF ka miratuar projektin “FIFA Arena”, një nismë që synon zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe krijimin e më shumë hapësirave për futbollin e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Projekti do të realizohet në bashkëpunim mes FSHF-së, FIFA-s dhe bashkive përkatëse, me synimin për të krijuar ambiente të përshtatshme ku fëmijët dhe të rinjtë të kenë më shumë mundësi të luajnë futboll dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre sportive.

Në kuadër të këtij projekti, janë identifikuar tri vendndodhje për ndërtimin e fushave të reja të futbollit: shkollat “Dora d’Istria” dhe “Vasil Shanto” në Tiranë, si dhe Parku Rekreativ i qytetit të Kavajës.

Në bazë të modelit të bashkëpunimit, bashkitë përkatëse do të kujdesen për përgatitjen e bazamentit të fushave, ndërsa FSHF, nëpërmjet projektit “FIFA Arena”, do të mundësojë shtrimin e tapetit artificial, vendosjen e sistemit të rrethimit dhe instalimin e portave të futbollit, në bashkëpunim me FIFA-n.

Përmes projektit “FIFA Arena”, FSHF vijon angazhimin për zhvillimin e futbollit të bazës dhe krijimin e kushteve më të mira për brezat e rinj, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe FIFA-n për të sjellë futbollin më pranë komuniteteve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme