Moti i keq, punohet për normalizimin e situatës pas reshjeve, Dibra dhe Durrësi më problematike, Ministri Vengu angazhon F.A. në terren

Aktualitet | 12 muaj më parë

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) njoftoi sot se strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë punën për normalizimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit. Ndërsa në shumicën e qarqeve situata paraqitet e stabilizuar dhe nuk ka problematika të raportuara, zona si Dibra, Durrësi dhe Kurbini mbeten në fokusin e ndërhyrjeve.

Qarku Dibër vazhdon të përballet me probleme të theksuara me furnizimin me energji elektrike. Mungesa raportohet në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë, si dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën. Grupet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve ndërsa intensiteti i reshjeve në qark ka rënë.

Në qarkun Durrës janë shënuar dëme në zona të ndryshme:

Sukth- Disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull janë prekur nga prania e ujit, ku ka edhe rrugë të bllokuara.

Manzë- Raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji.

Në bashkinë Krujë, po punohet intensivisht në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve. Një ndërhyrje e rëndësishme po kryhet në lumin e Drojës, ku po forcohet argjinatura për të shmangur daljen e mundshme nga shtrati. Raportohet se niveli i ujit ka nisur të bjerë.

Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras (50 banesa me prezencë uji) dhe në njësinë Milot (12 banesa).

Ndërprerje energjie ka edhe në disa fshatra të njësisë Rubik në Mirditë dhe në zona të thella malore në Kukës, ku po punohet gjithashtu për rikthimin e furnizimit. Në Kukës po bëhet pastrimi i inerteve nga akset rrugore.

Situatë e stabilizuar në jug

AKMC njoftoi se në qarqet e tjera situata paraqitet përgjithësisht e qetë.

Në Shkodër, nuk raportohen problematika të reja, por vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi, pranë urës së Dajçit dhe në zonën e “Harkut të Bërdicës” për pastrimin e depozitimeve.

Qarqet si Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat dhe Tiranë nuk raportojnë problematika nga reshjet e fundit.

Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.

Ministri Vengu në terren, Forcat e Armatosura në gatishmëri

Ministri i Mbrojtjes Vengu ndodhet në Thumanë, ku Forcat e Armatosura janë angazhuar për identifikimin e problematikave dhe janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje ose evakuim në rast nevoje.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në monitorim të vazhdueshëm dhe në kontakt me strukturat vendore, për të marrë të gjitha masat e nevojshme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme