Ndahet nga jeta “legjenda e mikrofonit” Ismet Bellova, homazhet mbahen nesër në hollin e RTSH

Futboll Vendi | 11 muaj më parë

Gazetaria sportive humbet një nga figurat e saj më të shquara. Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori dhe publicisti, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.

Homazhet zyrtare në nderim të legjendës së mikrofonit Ismet Bellova bëhen të hënën me 22 dhjetor ora 10-12 në hollin e RTSH.

Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së tij Bellova u nderua me një sërë çmimesh, në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ai u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë në TVSH.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme