Ndërron jetë në paraburgimin e Vlorës, 54-vjeçari pëson arrest kardiak në pritje të dënimit

Një ngjarje tragjike është regjistruar në ambientet e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale në Vlorë, ku një 54-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e komplikacioneve të papritura shëndetësore. I paraburgosuri ndodhej aty pas arrestimit të tij në pranverën e këtij viti.
Sipas të dhënave paraprake, viktima i identifikuar si Blerim L., ka paraqitur shqetësime të rënda shëndetësore gjatë qëndrimit në qelinë e tij. Përkeqësimi i gjendjes ka detyruar dërgimin e tij me urgjencë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Siç bëhet e ditur nga raportimet e gazetares së RTSH 24 në Vlorë ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka pësuar infarkt, duke bërë të nevojshëm transportimin e menjëhershëm drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Pavarësisht reagimit për t’i dhënë ndihmën e parë, stafi mjekësor i spitalit nuk ka mundur ta shpëtojë.
Viktima ndodhej në sistemin penitenciar në masën e sigurisë “arrest me burg” për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe ishte në proces gjyqësor. Lidhur me statusin e tij ligjor, theksohet se ishte arrestuar për prodhim dhe shitje narkotikësh në muajin prill 2026 dhe gjendej në pritje të dënimit.
Pas konfirmimit të humbjes së jetës, autoritetet policore dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen dhe dokumentimin zyrtar të shkaqeve që çuan në këtë ngjarje.
Në ambientet e Spitalit Rajonal të Vlorës ndodhen forca të policisë, ndërsa pritet kryerja e veprimeve procedurale dhe zbardhja e plotë e rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




