Ndotet liqeni i Fierzës, bashkë me prurjet e ujit vijnë edhe tonelata mbetjesh

Aktualitet | 12 muaj më parë

Këto ditë me reshje ishin ogur i mirë për të përmirësuar situatën hidrike në liqenin e Fierzës, por aspak i mirë për mjedisin. Një sasi e madhe mbetjesh ka mbërritur dhe po pluskon mbi sipërfaqen e liqenit. Përgjatë bregut, disa peshkatarë përpiqen të largojnë mbetjet nga rrjetat e lëshuara një ditë më herët. Të tjerë hedhin grepin për të zënë ndonjë peshk.

Prania e një sasie të tillë mbetjesh në liqenin e Kukësit e dëmton rëndë faunën liqenore.

Kjo sasi mbetjesh mbërriti në kupën e liqenit pas reshjeve të dendura të shiut që përfshinë verilindjen dhe rajonin përgjatë fundjavës.

Drini i Bardhë dhe Drini i Zi kanë shtuar sasinë e prurjeve, duke shënuar rreth 1 mijë metër kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Kukësit po rritet orë pas ore.

Mbetjet që kanë mbërritur në Kukës dhe kanë mbuluar këtë sipërfaqe ujore janë kryesisht plastike, por edhe lëndë drusore.

Kjo ndotje kaq e madhe, me këtë sasi prurjesh, vjen kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Drini i Bardhë përshkon një pjesë të qyteteve dhe zonave të banuara të Kosovës, aty ku krijohet edhe sasia më e madhe e mbetjeve të tilla, me destinacion përfundimtar kupën e liqenit të Kukësit. E njëjta situatë ndodh edhe në anën tjetër përgjatë Drinit të Zi.

Së bashku, ato mblidhen në Kukës duke sjellë jo vetëm një imazh tejet negativ nga ana vizuale, por edhe problemin më shqetësues mjedisor, me ndotje të tilla që shkaktojnë eliminimin fizik të dhjetëra specieve ujore që ka ky liqen.

Anija e pastrimit është ende larg vijës liqenore për të rinisur procesin e pastrimit, por edhe pse ka punuar në dy sezone radhazi, rezultatet janë provizore, pa i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi ekologjik.

Përmes projekteve ndërkufitare mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi, Bashkimi Evropian ka financuar një pjesë të tyre, të cilat synonin minimizimin e ndotjes. Rezultatet në terren flasin të kundërtën, ndaj ende nuk ka një strategji se si do të zgjidhet problemi për t’i dhënë mundësi Kukësit që këtë pasuri ujore të mos e ketë venddepozitim mbetjesh, por një tregues në shërbim të biznesit përsa i përket peshkimit dhe sektorit të turizmit.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme