Zelensky kërkon sanksione më të rrepta ndaj Rusisë pas sulmit me dron në Dnipro

Europë | 53 minuta më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës, pas sulmit më të fundit rus kundër stacionit hekurudhor në qytetin e Dnipro-s.

Zelensky vuri në dukje se Rusia ka ndërmarrë një sërë sulmesh të ngjashme terroriste kundër ukrainasve pasi u hoqën disa nga sanksionet ndaj oligarkëve rusë dhe sektorit të energjisë, në vend që të ndërmerrte hapa drejt de-eskalimit.

“Pikërisht për këtë arsye Ukraina ka thënë gjithmonë se nevojitet një veprim i drejtë dhe vendimtar nga Amerika dhe Evropa si përgjigje ndaj eskalimit rus – sanksionet kundër Moskës dhe makinerisë së saj të luftës nuk duhet të lehtësohen për sa kohë që kjo luftë vazhdon. Është koha për hapa të rinj dhe më të fortë sanksionues nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe G7”, shkroi presidenti ukrainas në rrjetin social X.

Më 29 tetor, forcat ruse goditën me një dron me reaksion platformën e stacionit hekurudhor në Dnipro. Pranë platformës ndodhej një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Dnipro drejt Zaporizhzhias.

Sulmi shkaktoi të paktën 13 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e tij presidentit Zelensky dhe popullit ukrainas pas kësaj ngjarjeje tronditëse në stacionin e Dnipros.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme