Netanyahu: Shqipëria, kopështi i gjallë i Europës – Marrëdhëniet tona në kulmin e miqësisë
Në një seancë plenare speciale të mbajtur në Knesset, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit duke i cilësuar si më të fortat ndonjëherë.
Ai tha se sot raportet mes dy vendeve janë më të mira se kurrë dhe se kjo miqësi është e bazuar në respekt të ndërsjellë dhe vizion të përbashkët për të ardhmen.
“Sot marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe shtetit të Izraelit janë më të mira se kurrë, si në aspektin qeveritar, ashtu edhe në atë personal. Kur shoh sot dy kokat e shqiponjës që shikojnë në drejtime të ndryshme, shoh një shembull të së shkuarës dhe të së ardhmes” tha Netanyahu.
Netanyahu tha sot se marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë tejkalojnë interesat ndërshtetërore dhe formalitetet diplomatike, por kanë në thelb empatinë dhe mirëkuptimin e dy popujve, që si të vegjël, përpiqen çdo ditë të përparojnë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, mes rrezikut ekzistencial periodik që u kanoset nga vende më të mëdha.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe e shtetit të Izraelit janë më të mira se kurrë në nivel qeveritar dhe personal. Kur shoh sot dy kokat e shqiponjës që shohin në drejtime të ndryshme si shembull i së shkuarës dhe së ardhmes, shoh po kështu diçka që simbolizon në shikimin nga e ardhmja, bashkëpunimin që bëhet më i fortë, miqësinë, sigurinë mes dy vendeve tona. Do doja t’ju thoja që qeveria e Shqipërisë po hap krahët ashtu si shqiponja në flamurin tuaj. Kam vizituar shumë vende, jam takuar me shumë liderë, pikërisht ata shohin interesin e vet, por këtu ka diçka më të thellë dhe ndodh kështu vetëm me liderë të veçantë, ndodh me ju. Kjo është empati e thellë që ju vjen prej zemre, ndihet në ajër, njerëzit e ndjejnë këtë empati të thellë që ju vjen nga zemra. Kjo natyrisht reflekton edhe popullin tuaj. Shqipëria e kupton Izraelin dhe Izraeli Shqipërinë. Shtetet e vogla luftojnë për ekzistencën e tyre dita-ditës, nënkuptoj edhe ekzistencën e jetës. Kemi shumë armiq dhe shumë shtete që nuk janë miqësore me ne.”
Netanyahu vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar mbështetjen e saj të hapur për Izraelin.
“Qeveria juaj po hap krahët, ashtu si shqiponja në flamurin tuaj. Përpjekjet që po bëni për ta çuar Shqipërinë përpara dhe miqësia e thellë për Izraelin, e shfaqur hapur në forume ndërkombëtare, duke qëndruar në anën e së vërtetës dhe kundër gënjeshtrës, janë të çmuara për ne” tha ai.
Gjithashtu kryeministri izraelit nuk la pa përmendur dhe harmoninë fetare që ekziston në vendin tonë, duke thënë se, “Shqipëria është shembull i bashkëjetesës. Ky është islam i moderuar, krejtësisht kundër ekstremizmit dhe xhihadit” tha ai, duke shtuar se vlerat morale të kryeministrit Rama janë të larta dhe se Shqipëria ka treguar empati të veçantë për Izraelin.
“I dashur Edi, si patriot shqiptar ju i njihni dhe i vlerësoni këto përpjekje. Në Shqipëri ka shumë heronj, së pari heroi juaj kombëtar që luftoi në shekullin e 15 kundër perandorisë otomane. Ne po punojmë për të ndaluar fuqinë e rrjeteve të së keqes që janë në rrënjë më të thella dhe tashmë duhet të kthejmë sytë nga e ardhmja dhe Hamasi duhet të ndalet dhe do të ndodhë se, siç miku ynë Donald Trump ka thënë, do të ndodhë me hir e pa hir të çarmatoset”,- tha Netanyahu.
Më tej, kryeministri izraelit shprehu vlerësimin e tij për qeverisjen e kryeministrit Rama dhe faktorizimin politik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria ishte ishulli i pavarësisë në oqeanin e së keqes. Ju dhënë atë për këto akte heroike, tregojmë vlerat më të mëdha të atij vendi që nderon miqtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria përjetoi kohë të vështira. Zyrtarisht Izraelin e njohu në 1996, por regjimi komunist ishte armiqësor dhe nuk e lejoi Shqipërinë të ndërtonte marrëdhënie demokratike me Izraelin. Fatmirësisht, 35 vite më parë u vendosën marrëdhëniet diplomatike, gjërat ecën hap pas hapi, këto vitet e fundit hapat e jashtëzakonshëm janë marrë falë jush. Shqipëria që ju po drejtoni është kopështi i gjallë i Europës dhe që ka sukses. Shija juaj stetike po e bën Shqipërinë tuaj më të bukur. Duhet të shkoni në Shqipëri. Në fakt kemi parë broshura shumë të bukura që vijnë edhe për vendet e tjera, por kemi një lidhje të veçantë me Shqipërinë. I dashur Edi, i dashur mik, ju keni një lidhje unike me shtetin e Izraelit, por ajo çfarë njerëzit dinë më pak, është që jeni një piktor i mrekullueshëm. Nuk është thjesht vizatim skicash, ai pikturon, kombinimi i ngjyrave është i pabesueshëm. Ti qëndron mbi të tjerët dhe nuk e kam thjesht në kuptimin fizik, por e kam në kuptimin moral“,- përfundoi fjaën e tij kryeministri Netanyahu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




