Ngjarja në Fier, BKH dhe SPAK: Oficerët tanë u sulmuan pa asnjë motiv, vepruam konform ligjit

Aktualitet | 2 vite më parë

Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar ndaj sulmit që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të tyre dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.

Sipas këtij institucioni, hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Duke iu referuar informacionit të përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier–Patos.

Hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit teksa po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në policinë e Fierit.

Të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

Nga ana tjetër, SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

“SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, theksohet në reagimin e SPAK.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme