Nis Marshi i Paqes në kujtim të viktimave të Srebrenicës

Në Bosnje e Hercegovinë, të martën nisi Marshi i përvitshëm i Paqes, një ngjarje që mbahet në kujtim të viktimave të gjenocidit në rajonin e Srebrenicës. Ky marsh simbolik synon të nderojë kujtimin e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë, të cilët humbën jetën në një prej kapitujve më tragjikë të historisë së Bosnjës dhe Ballkanit.
Përgjatë tri ditëve, mijëra pjesëmarrës do të përshkojnë rrugën 110 kilometërshe që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe. Pas rrugëtimit që nisi nga fshati Nezuk, pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, në shënim të 30-vjetorit të masakrës.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe hynë në Srebrenicë, zonë që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara, duke vrarë e masakruar më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e njohu krimin si gjenocid.
Mbi 50 persona janë dënuar me rreth 780 vjet burg për përfshirjen e tyre në gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë. Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm janë ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i ushtrisë së entitetit serb, Ratko Mlladiç, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për krimet.

OKB-ja miratoi në maj të vitit të kaluar rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Edhe Kosova e ka shpallur 11 korrikun Ditë të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Një ditë më parë Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Serbisë të përballet me rolin e saj në masakrën e Srebrenicës dhe të parandalojë përsëritjen e saj.
Në seancën plenare në përkujtim të viktimave të masakrës, Presidentja Roberta Metsola mirëpriti dy të mbijetuar të pranishëm në Strasburg – Almasa Salihović dhe Almir Salihović. Ata i kujtuan asaj se pas çdo emri dhe çdo numri qëndron një person ose një familje.

“Almasa u përjashtua nga komuniteti i saj dhe vetëm më vonë mësoi për ekzekutimin e vëllait të saj të madh, Abdullahut. Almir u end nëpër pyll për gjashtë ditë për t’i shpëtuar vdekjes. Almasa dhe Almir, faleminderit që jeni këtu. Na kujtoni se pas çdo emri dhe çdo numri është një person. Një familje”, tha Metsola.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




