Një cisternë nafte në flakë pranë Arabisë Saudite – Goditur nga një “raketë e panjohur”

Botë | 2 muaj më parë

Një anije cisternë nafte u përfshi nga flakët pasi u godit nga një “predhë e panjohur” në Detin e Kuq, pranë portit të Yanbusë në Arabinë Saudite.

Lajmi u konfirmua nga agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO, e cila raportoi se incidenti ndodhi rreth 63 milje detare në perëndim të Yanbu-së.

Sipas njoftimit, “i gjithë ekuipazhi është shëndoshë e mirë dhe nuk janë raportuar ndikime mjedisore”.

Kompania britanike e sigurisë detare Vanguard Tech deklaroi se anija, e cila mbante flamurin e Arabisë Saudite, u godit nga një raketë, duke shkaktuar zjarr në kuvertën kryesore.

Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar në rajon, ku rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve saudite që nga fundi i korrikut, kur shpallën një bllokadë detare ndaj mbretërisë.

Ky veprim lidhet me fazën e re të konfliktit rajonal pas sulmit amerikano‑izraelit ndaj Teheranit më 28 shkurt.

Porti i Yanbusë ka marrë rëndësi strategjike pas bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke u bërë pika kryesore e daljes për eksportin e naftës saudite.

Ndërkohë, Ngushtica Bab el‑Mandab, në jug të Detit të Kuq, është shndërruar në një korridor kritik për trafikun ndërkombëtar detar. Incidenti i fundit shton shqetësimet mbi sigurinë e transportit të energjisë dhe stabilitetin e rajonit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme