Pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuar, 432 përfitues të dyfishimit të saj në Shkodër, mbështetje dhe për ndihmësit

Sociale | 3 muaj më parë

Rreth 432 persona me aftësi të kufizuar nga 0-18 vjeç kanë përfituar nga dyfishimi i pagesës. Kjo masë përfshin të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar, përfshirë personat e vlerësuar sipas skemës bio-psiko-sociale, personat e verbër, si dhe personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik.

“Duke filluar nga data 1 korrik 2026, dyfishohet pagesa mujore bazë për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar deri në moshën 18 vjeç. Përfituesit në qark, si pasojë e ndryshimeve të fundit të ligjit, janë mbi 432. Gjithashtu, hiqet detyrimi për kontrollin periodik vjetor mjekësor për personat që janë vlerësuar me një afat mbi njëvjeçar”, u shpreh Alma Mehmetaj, Drejtore e Shërbimit Social, Shkodër.

Një risi tjetër hyn në fuqi më 1 tetor 2026 dhe lidhet me ndihmësit personalë. Deri më sot, vetëm ndihmësit personalë të personave me status paraplegjik dhe tetraplegjik përfitonin njohjen e periudhës së kujdesit si periudhë sigurimi për efekt pensioni dhe barrë lindjeje. Me ndryshimet e reja ligjore, kjo e drejtë zgjerohet për të gjithë ndihmësit personalë të të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuar.

“Deri më sot, vetëm ndihmësit personalë të personave me status paraplegjik apo tetraplegjik përfitonin njohjen e periudhës së kujdesit si periudhë sigurimi, qoftë për efekt pensioni, por gjithashtu edhe për efekt të përfitimit të barrëlindjes. Me ndryshimet e reja ligjore, kjo e drejtë zgjerohet për të gjithë ndihmësit personalë të të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuar, përfshirë personat e vlerësuar sipas skemës bio-psiko-sociale dhe personat e verbër, por me kusht që ndihmësi personal të mos jetë ekonomikisht aktiv, pra të mos ketë të ardhura nga sigurimet shoqërore të detyrueshme”, tha ajo.

Masat e reja pritet të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në rritjen e mbështetjes institucionale për këtë kategori në vend.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme