Pak orë para Festivalit të Këngës në RTSH, Cukali: Përgatitjet në fazën finale, nuk do të mungojë edhe humori i moderuar

Kulturë | 11 muaj më parë

Vetëm pak orë para nisjes së Festivalit të Këngës në RTSH, gazetarja Sonila Agostini raportoi drejtpërdrejt nga Pallati i Kongreseve me skenaristin e Festivalit, Koloreto Cukali.

Cukali theksoi se festivali do të ruajë tonin serioz, por nuk do të mungojë edhe humori i moderuar nga prezantuesit Salsano Rrapi dhe Arilena Ara.

“Festivali ka një lloj tendence që duhet të jetë serioze. Dëshira për të futur humor është shumë e madhe, por do të përpiqemi ta mbajmë me masë. Salsano di të jetë edhe shumë serioz, ashtu sikurse di ta bëjë shumë mirë humorin. Edhe Arilena ka një humor të brendshëm shumë natyral dhe mua më duken një çift prezantuesish me shumë kimi. Të dy janë mësuar me skena të mëdha. Kemi bërë publikë shumë nga personazhet, mes tyre edhe Kroni Pula”tha skenaristi.

“Muzika dhe gara mbeten kryesorja,” u shpreh ai, duke shtuar se publiku do të shohë të ftuar simpatikë, big dhe surpriza të veçanta.

Skenaristi i Festivalit, Koloreto Cukali, shprehet se juria do të drejtohet nga tenori i njohur Ramë Lahaj, ndërsa emrat e tjerë do të zbulohen në nisje të festivalit. Ai thekson se përgatitjet janë në fazën finale, me skenografi dhe orkestrime të punuara me kujdes.

“Duhet një koordinim shumë i mirë që të dalë gjithçka bukur në ekran. Skenografia ka qenë një punë e madhe, pastaj edhe pjesa e orkestrimit, e cila këtë vit ka qenë e përsosur. Nga e gjithë kjo punë e madhe do të vijë një gjë e bukur në ekran. I gjithë stafi i RTSH-së është instaluar këtu dhe po bën të gjitha përgatitjet e fundit. Është një punë shumë e madhe që ndoshta nuk duket, pasi në skenë shihet vetëm këngëtari dhe orkestra apo moderatorët”, tha ai ndërsa theksoi se interesi i publikut është i madh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme