Paralajmërimi i Ambasadës Amerikane për sulme të mundshme nga Irani, Mediu: Presidenti të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka kërkuar që Presidenti të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas njoftimit që Ambasada Amerikane në Tiranë dha për sulme të mundshme nga grupe iraniane në vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Mediu u shpreh se Shqipëria ka një institucion të quajtur Këshilli i Sigurisë Kombëtare që ka detyrimin të analizojë të gjitha problemet që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare.
“I bëj thirrje Presidentit të Republikës që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë që nuk mund të kapërcehet me deklarata në Kuvend apo me politizimin e kësaj çështjeje. Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin, ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike dhe ka shpallur Gardën Revolucionare iraniane si organizatë terroriste. Lajmërimi i Ambasadës dje nuk është thirrje vetëm për qytetarët amerikanë”, tha Peleshi.
Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, reagoi duke i bërë thirrje Mediut që të tregojë kujdes me fjalët e përdorura në Kuvend, pasi mund të kenë pasoja serioze në opinionin publik.
“Ju bëj thirrje shumë serioze që si politikan i vjetër të ngriheni në lartësinë e përgjegjësisë së fjalëve që thuhen këtu, sepse shpesh janë të frymëzuara për qëllime politike, por kanë pasoja në opinionin publik”, tha Mediu.
Një ditë më parë Ambasada Amerikane paralajmëroi qytetarët amerikanë në Shqipëri dhe në mbarë botën për një rrezik të shtuar nga grupet e lidhura me Iranin, si pasojë e konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.
Sipas alertit të sigurisë, grupet e mbështetura nga Irani mund të synojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, si dhe elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




