Përdorën dokumente të falsifikuara si vëzhgues në zgjedhjet e 11 majit-Prokuroria e Tiranës çon në gjyq funksionarët partiakë dhe punonjësen e KQZ-së

Aktualitet | 11 muaj më parë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas: A.P., G.D. dhe M.X., të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të detyrës shtetërore në lidhje me zgjedhjet e 11 majit 2025.

Hetimet treguan se shtetasi A.P., që paraqitej si Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste, hyri si vëzhgues në qendrën e votimit në shkollën 9-vjeçare Vorë duke përdorur një “badge” zyrtar të KQZ-së, i cili rezultoi plotësisht i falsifikuar.

A.P. deklaroi se kishte për detyrë të mbikëqyrte 44 qendra votimi në Bashkinë Vorë dhe se dokumentin ia kishte dhënë një ditë para zgjedhjeve shtetasi G.D., Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë.

G.D. pretendoi se e kishte marrë badge-in direkt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por hetimet vërtetuan se emri i tij nuk figuron në asnjë shkresë zyrtare dhe se ai kurrë nuk e kishte tërhequr një dokument të tillë.

U provua gjithashtu se shtetasja M.X., sekretare në zyrën e protokollit të KQZ-së, kishte ndihmuar në sigurimin dhe përpunimin e “badge-it” të falsifikuar.

Prokuroria konstatoi se A.P. nuk ka qenë kurrë i regjistruar si vëzhgues pranë KQZ-së dhe se dokumenti i rremë u përdor me vetëdije ditën e zgjedhjeve për të hyrë në ambientet e votimit.

Për këto veprime, A.P. akuzohet për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore, ndërsa G.D. dhe M.X. për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Dosja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.P., për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore’ parashikuar nga nenet 186/2 dhe 246/1 i Kodit Penal si dhe G.D. dhe M.X për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.3643, të datës 22.05.2025, rezultoi se shtetasi A.P. ka marrë pjesë si vëzhgues në qendrën e votimit në shkollën ‘9-Vjeçare Vorë’ me dokument ‘badge’ të KQZ-së, i cili nga hetimet rezultoi i falsifikuar.

Në lidhje me ngjarjen, ky shtetas sqaroi se është Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste dhe përveç kësaj qendre, kishte detyrë të vëzhgonte edhe 43 qendra të tjera votimi në Bashkinë Vorë. Ai shtoi se dokumenti si vëzhgues iu dha nga shtetasi G.D. me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë një ditë para zgjedhjeve. Shtetasi G.D., pretendoi se e tërhoqi dokumentin ‘badge’ si vëzhgues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë që rezulton se nuk ka firmosur ndonjë shkresë për këtë veprim. Hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, zbuluan se shtetasi A.P. nuk ishte i regjistruar si vëzhgues në KQZ si dhe nuk kishte një dokument zyrtar të lëshuar nga ky institucion.

Nga hetimet rezultoi se dokumenti i falsifikuar u përdor nga shtetasi A. P., ditën e zgjedhjeve  të datës 11.05.2025 pranë qëndrës së votimit në ambientet e shkollës “9 – Vjeçare” Vorë me vetëdije dhe veprimi u krye në bashkëpunim me shtetasit G.D. dhe M.X., sekretare në zyrën e protokollit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilët ndihmuan në sigurimin e dokumentit fals.

Në analizë të fakteve të sipërpërmendura arrijmë në përfundimin se këta shtetas kanë konsumuar veprat penale për të cilat akuzohen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme