Përdorimi i kinemasë në komunizëm, si u shtrembërua historia e familjes Syku përmes të dhënave të rreme në film

Aktualitet | 11 muaj më parë

Klubi i filmit “Mësojmë nga e Kaluara”, një nismë e Arkivit Qëndror të Filmit dhe Autoritetit të dosjeve u ndal në Lezhë.

Përmes fakteve dhe dëshmive u prezantua mënyra se si kinemaja e periudhës komuniste iu nënshtrua censurës së regjimit dhe ndikoi në formësimin e kulturës shoqërore.

Studiues dhe përfaqësues të Autoritetit të Dosjeve theksuan se filmi “Toka Jonë”, i realizuar në vitet ’60, u ndërtua mbi një narrativë të shtrembëruar, me qëllim që familja Syku të paraqitej si përfaqësuese e armiqve të klasës, për t’i bërë ata objekt urrejtjeje dhe izolimi shoqëror.

Përfaqësuesja e Autoritetit të Dosjeve, Rovena Rrozhani, thotë se është shumë e rëndësishme për të mësuar të vërteten e deformuar nga regjimi i asaj kohe.

“Flasim për filmin “Toka jonë” për familjen Syku. Është shumë e rëndësishme për të mësuar të vërtetën, për të krijuar panoramën e plotë të historive të atyre kohëve që është deformuar, në sajë të propagandës gjatë kohës së regjimit të diktaturës. Është shumë e rëndësishme të mësojmë të drejtat e njeriut të cilat janë shkelur në atë kohë dhe duke mësuar kështu mund të shmangim të gjitha gabimet e asaj kohe dhe të mos i përsërisim” tha Rrozhani.

Historiani Paulin Zefi u shpreh se filmi Toka jonë shërbeu si justifikim propagandistik për goditjen e shtresave pronare, ndërsa pasojat për familjen Syku u shtrinë për dekada, me dënime, shpronësime dhe stigmatizim të thellë shoqëror.

Pas shfaqjes së filmit dhe propagandës që e shoqëroi, familjes Syku iu sekuestruan mbi 1 mijë hektarë tokë, ndërsa dhjetëra anëtarë u dënuan me burgime të gjata, që në total kapën mbi 100 vite. Pasojat nuk prekën vetëm anën ekonomike dhe fizike por edhe edukimin, të drejtën për të punuar apo çdo mundësi integrimi shoqëror që ndikoi në breza të tërë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme