Përmbytjet/ Rama: Hidrovorët kanë funksionuar pa ndërprerje, investimet kanë shmangur pasoja më të rënda nga reshjet

Aktualitet | 10 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave lidhur me menaxhimin e situatës së përmbytjeve, duke deklaruar se, sipas tij, disa aktorë politikë po përpiqen të shfrytëzojnë tërbimin e natyrës për të fshehur mungesën e alternativave të tyre ndaj qeverisë.

Rama theksoi se hidrovorët kanë qenë në funksion të plotë, pa pushim, duke luajtur një rol kyç në parandalimin e pasojave shumë më të rënda nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

“Aleatët politikë të shiut, që shohin te tërbimi i natyrës forcën për të përfaqësuar impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovorëve, të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim, duke parandaluar pasoja shumë më të rënda.Shkodra ka qenë qarku më i prekur nga reshjet. Para fillimit të sezonit të reshjeve, drejtoritë e ujitjes dhe kullimit kanë siguruar pastrimin e kanaleve të ujërave të larta, hidrovorëve dhe kanë vënë në dispozicion flotën prej 29 eskavatorësh të Drejtorisë Qendrore”, tha Rama.

Rama bëri me dije se janë siguruar dhe përforcuar argjinaturat e lumenjve dhe digave, të cilat kanë përballuar reshjet, ndonëse, sipas tij, dalja e ujit nga shtrati ishte e pashmangshme për shkak të intensitetit jo normal të reshjeve, një fenomen që po ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të botës.

Rama shtoi se vendi ka një mirëmbajtje të strukturuar të sistemit të kullimit, ku çdo vit hiqen rreth 2.5 milionë metra kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kulluese. Vetëm gjatë vitit 2025, janë investuar rreth 25 milionë euro në infrastrukturën e kullimit.

“Është bërë sigurimi i argjinaturave të lumenjve dhe digave, dhe këto kanë përballuar reshjet, por reshjet jo normale të ditëve të fundit e bëjnë daljen e ujit të pashmangshme, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Ne kemi mirëmbajtje të strukturuar të sistemit të kullimit. Çdo vit largohen 2.5 milionë metra kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kulluese. Vetëm në vitin 2025 kemi investuar në infrastrukturën e kullimit afro 25 milionë euro”, tha ai.

Në përfundim, Rama theksoi se reagimi i institucioneve sot është i fokusuar te mbrojtja e qytetarëve dhe garantimi i mbështetjes për familjet e dëmtuara, duke nënvizuar se situata menaxhohet ndryshe nga e kaluara.

“Këtë vit, vetëm nga bashkitë investohen 11 milionë euro, ose 8% më shumë se vitin e shkuar. Janë përforcuar argjinaturat, janë futur në punë 12 hidrovorë që kishin pushuar së funksionuari prej vitesh dhe është rritur flota e eskavatorëve. Reagimi sot dhe mbrojtja, si edhe garancitë për familjet e dëmtuara, janë krejt të tjera krahasuar me të shkuarën”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme