Play-off i Botërorit/ Grima për sfidën me Uellsin: Në futboll ndodh gjithçka, besojmë deri në fund

Kombëtarja e vajzave zhvilloi mbrëmjen e së hënës seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës ndaj Uellsit. Përfaqësuesja kuqezi do të luajë sot ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës uellsiane, në orën 20:15, në “Parc y Scarlets”, në kuadër të raundit të parë të Play-off-it për Botërorin 2027.
Në një prononcim për fshf.org, trajneri Armir Grima shpreh besimin se skuadra mund të përsërisë paraqitjen e mirë të zhvilluar në Shkodër, ndërsa thekson rëndësinë e menaxhimit të duhur të ndeshjes dhe të besimit deri në fund. Tekniku kuqezi nuk e fsheh dëshirën për një mrekulli, që do të kishte një domethënie të veçantë për futbollin e vajzave në Shqipëri.
“Futbolli i tillë është, aty ku nuk e pret, ta kthen. Aty ku ti nuk e mendon, nuk ta kthen. Ne shpresojmë shumë që të përsërisim atë ndeshje të mirë që bëmë në Shkodër. Është detyrë e jona, është detyrë e vajzave që ta përsërisim atë ndeshje dhe pse mos të shpresojmë. Gjithçka arrihet në futboll.
Jemi mësuar të luajmë me mungesa. Po mos të kemi mungesa, duhet të themi se çfarë ka ndodhur. Por e rëndësishme është që vajzat të jenë të freskëta fizikisht, kemi punuar që të jenë të çlodhura fizikisht dhe të jemi gati për ndeshjen. Ajo që është shumë e rëndësishme është që ne ta menaxhojmë ndeshjen mirë dhe të shpresojmë deri në fund në një mrekulli, që do të ishte mrekulli për ne, për futbollin e vajzave në Shqipëri dhe për çdo gjë”, – tha trajneri Grima.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




