Polonia do të ngrejë memorial për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, tensionohen marrëdhëniet me Ukrainën

Botë | 4 muaj më parë

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka njoftuar ngritjen e një memoriali kombëtar për viktimat e asaj që Varshava e cilëson si “gjenocid të kryer nga nacionalistët ukrainas” gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Deklarata u bë në përvjetorin e masakrës së Volynit, një nga ngjarjet më të debatueshme në historinë e marrëdhënieve polako-ukrainase. Sipas autoriteteve polake, rreth 100 mijë polakë etnikë u vranë nga Ushtria Kryengritëse e Ukrainës (UPA) në periudhën 1943-1945, në territorin e atëhershëm të Polonisë së pushtuar nga Gjermania, sot pjesë e Ukrainës. Nga ana tjetër, gjatë përplasjeve u vranë edhe mijëra ukrainas nga forcat polake.

“Detyra jonë është t’u bëjmë drejtësi viktimave, por edhe të kapërcejmë të kaluarën për hir të një të ardhmeje më të mirë. Kujtesa nuk mund të jetë shërbëtore e urrejtjes. Përgjigjja ndaj nacionalizmit nuk mund të jetë më shumë nacionalizëm”, deklaroi Tusk.

Ai shtoi se Ukraina duhet “ta përqafojë këtë të vërtetë” nëse synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Çështja e Volynit vijon të mbetet burim tensionesh mes dy vendeve. Në Ukrainë, shumë e konsiderojnë UPA-në një forcë që luftoi për pavarësinë e vendit kundër Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake.

Së fundmi, tensionet u shtuan pasi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky iu hoq dekorata më e lartë shtetërore e Polonisë, pas vendimit për t’i vendosur emrin e UPA-së një njësie ushtarake ukrainase.

Presidenti polak Karol Naërocki deklaroi se vendimi ishte i domosdoshëm, por nënvizoi se ai nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi vendimin e Varshavës si një “gabim strategjik”. Në shenjë solidariteti me Zelenskyn, tre ish-presidentë ukrainas kthyen dekoratat “Shqiponja e Bardhë” të marra nga Polonia.

Në reagimin e tij, presidenti Volodymyr Zelensky tha se përfaqësues të Ukrainës dhe Polonisë morën pjesë në ceremoni të përbashkëta përkujtimore për viktimat e Volynit dhe theksoi se Kievi po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjeve historike.

“Ukraina po bën pjesën e saj për të vërtetuar sinqerisht faktet për të vrarët në ato vite. Nuk duhet të harrojmë se sot Ukraina dhe Polonia përballen me një kërcënim të përbashkët, dhe ai quhet Rusi”, u shpreh Zelensky.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme