Polonia pezullon përkohësisht të drejtën e emigrantëve për azil

Polonia ka miratuar një ligj që pezullon përkohësisht të drejtën e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin e saj me Bjellorusinë për të aplikuar për azil. Kryeministri Donald Tusk njoftoi se ky vendim erdhi pas nënshkrimit të ligjit nga presidenti Andrzej Duda, i cili ka lejuar autoritetet polake të pezullojnë kërkesat për azil deri në 60 ditë.
Tusk theksoi se ky ligj është një masë e domosdoshme për të rritur sigurinë kombëtare dhe për të luftuar fluksin e emigrantëve që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, ky vendim nuk ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut, por me parandalimin e grupeve të organizuara që kalojnë kufirin ilegalisht, shpesh të udhëhequra nga regjimi i Lukashenkos në Bjellorusi.
“Askush nuk po flet për shkeljen e të drejtave të njeriut, të së drejtës për azil, ne po flasim për mospranimin e kërkesave për personat që kalojnë ilegalisht kufirin në grupe të organizuara nga Lukashenko”, tha Tusk.
Megjithatë, ky ligj ka shkaktuar kritika të forta nga grupet e të drejtave të njeriut, si Human Rights Watch, që kërkojnë veprime ligjore nga Bashkimi Evropian nëse ky vendim zbatohet. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin se masat e tilla mund të krijojnë një precedent të rrezikshëm për të drejtat e emigrantëve.
Tusk tha se përjashtimet nga pezullimi do të bëhen për të miturit e pashoqëruar, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe ata që janë në rrezik serioz të dëmtimit. Qeveria polake ka theksuar se ky pezullim është një masë të përkohshme dhe do të zbatohet vetëm për ata që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Që nga viti 2021, Polonia, Lituania, Letonia dhe Finlanda kanë parë një rritje të madhe të numrit të njerëzve që kalojnë në vendet e tyre ilegalisht nga Bjellorusia dhe Rusia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




