Presidentja Osmani me homologun letonez: Të hiqen masat e BE

Gjatë një konferencë të përbashkët me homologun e Letonisë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të heqë masat kufizuese ndaj vendit të saj.
“Është koha që të largohen masat e padrejta që Bashkimi Evropian i ka akoma në fuqi ndaj Kosovës, po ashtu sa më shpejtë që të gjendet metoda dhe mënyra për statusin e vendit kandidat për Republikën tonë”, tha Osmani.
Një gjë të tillë e kërkoi edhe presidenti letonez Edgars Rinkevics.
“Qëndrimi i vendit tim është që Bashkimi Evropian duhet t’i heqë masat kufizuese. Bindja ime është sesa më shpejt që do të ndodh kjo aq më mirë do të jetë, por nuk mund t’iu premtoj se statusi i vendit kandidat mund të jepet deri në fund të vitit”, tha presidenti letonez.
Lidhur me Draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga Bashkimi Evropian, presidentja Osmani tha nuk do të mund të kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese.
“Personalisht besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, po ashtu nuk është në përputhje as me normat dhe standardet e Bashkimit Evropian e vlerat e Këshillit të Evropës. Po ashtu nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe një draft-statut i tillë që bie ndesh në këto të tria s’ka sesi të hyjë në fuqi”, tha Osmani.
Osmani u shpreh optimiste se lidershipi i ri i BE-së do të jetë më i balancuar në procesin e dialogut, ndërsa kërkoi nga Brukseli që të ketë një përgjigje të qartë ndaj veprimeve destabilizeuse të Serbisë në rajon. Ndërsa homologu i saj letonez u shpreh se e konsideron dialogun si temë shumë të ndjeshme.
“Kosova ka bërë çmos që të kontribuoj në stabilitetin rajonal, përkundër faktit se dy viteve të fundit kemi pasur sulme të agresionit nga Serbia në veri të vendit tonë me synimin e qartë që të aneksohet territori ynë sipas modelit rus të aneksimit”, tha ajo.
“Dialogu është zgjidhja e vetme për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Nëse duam ta arrijmë atë qëllim, duhet që të dyja palët të angazhohen”, tha Rinkevics.
Ndër të tjera Osmani dhe Rinkevics theksuan edhe nevojën për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




