Programi ekonomik i PD, Berisha: Zero taksa për profesionet e lira e biznesin e vogël

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin ekonomik të koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, duke nënvizuar si shtyllë kryesore të këtij programi nxitjen e sipërmarrjes së prodhimit në vendin tonë. Berisha tha se një gjë e tillë do të sillte më shumë punësim dhe rroga më të larta.
“Pas një takimi frymëzues, mahnitës në stadiumin e Napolit, me mijëra qytetarë shqiptarë të diasporës në këtë qytet, kthehem më i inspiruar se kurrë në projektin tonë dhe konkretisht në shtyllën e tij të dytë, dhe themelore ‘Made in Albania’. Shtyllë e cila ka qëllime kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin. Që do të thotë punësim, punësim, punësim për shqiptarët. Që do të thotë rritje rrogash, rritje rrogash, rritje rrogash për shqiptarët. Pra, ne do të bëjmë gjithçka për të ndezur fuqishëm motorët e sipërmarrjes së prodhimit në Shqipëri, me moton ‘Made in Albania’. Duhet që prodhimet shqiptare të mbushin tregun shqiptar dhe të vërshojnë në tregjet e tjera”, tha Berisha.
Ai premtoi se, nëse vjen në pushtet, do të heqë taksën mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël si dhe do të ulë në 2% taksën e shitjes së pronës”.
“Për këtë qëllim ne jemi të zotuar të garantojmë konkurrueshmëri të ndershme, me ligj dhe të sigurt. Të garantojmë nivelin më të ulët të taksave në Europë. Të sigurojmë, derregullimin më të madh në interes të biznesit. Të sigurojmë klimën më miqësore dhe kjo jo me fjalë, por me vepra, ligje, vendime konkrete. Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë. Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë. Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




