Qytetari humbi ndjenjat në protestë, Brataj: Është në gjendje të mirë

Aktualitet | 51 minuta më parë

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të qytetarit që humbi ndjenjat gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe për vështirësitë me të cilat po përballen ekipet mjekësore gjatë ndërhyrjeve në terren.

Brataj bëri me dije se qytetari i transportuar me autoambulancën e Urgjencës Kombëtare është paraqitur në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” me parametra normalë dhe në gjendje të vetëdijshme. Sipas tij, dëmtimet e raportuara janë përgjithësisht të lehta.

“Dëmtimet e raportuara te personi që u transportua me autoambulancën e Urgjencës Kombëtare janë përgjithësisht të lehta. Qytetari është transportuar drejt Spitalit Universitar ‘Nënë Tereza’. Ai është paraqitur me parametra normalë, ka qenë i vetëdijshëm dhe është shoqëruar nga ekipi mjekësor”, tha ai.

Kreu i Urgjencës Mjekësore ngriti shqetësimin edhe për dëmtimin e autoambulancave dhe bllokimin e hyrjes së tyre në disa raste gjatë protestës. Ai u bëri thirrje protestuesve dhe qytetarëve të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve mjekësore, duke theksuar se ato janë në shërbim të çdo personi që ka nevojë për ndihmë urgjente.

“Dua të bëj një sqarim për qytetarët dhe protestuesit. Kemi pasur dëmtime të autoambulancave dhe, në disa raste, bllokim të hyrjes së tyre. Çdo autoambulancë e identifikuar me logon e Urgjencës Kombëtare është në shërbim vetëm të ndihmës mjekësore. Ju lutem, mos na pengoni të kryejmë detyrën. Garantoj se shërbimi i urgjencës nuk ka lidhje me asnjë veprimtari tjetër, përveç dhënies së ndihmës mjekësore. Ambulancat tona janë të identifikueshme, mbajnë logon e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe numrin 127. Ne duam thjesht të bëjmë detyrën tonë, sepse secili prej jush mund të ketë nevojë për ndihmë në këto momente kritike”, tha ai.

Brataj përsëriti apelin për të mos dëmtuar apo bllokuar autoambulancat, duke theksuar se numri i tyre është i kufizuar dhe se çdo pengesë mund të vonojë ndihmën për një person në rrezik.

 “Shërbimi i zakonshëm për qytetarët e Tiranës është i garantuar. Automjetet dhe ekipet shtesë janë vënë në dispozicion të protestës, ndaj askujt nuk do t’i mungojë ndihma mjekësore. Ju lutem, mos i bllokoni dhe mos i dëmtoni autoambulancat. Ato janë mjete të domosdoshme për të shpëtuar jetë dhe nuk janë të pakufizuara në numër”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme