Rama: Liqeni i Shkodrës aplikon pranë UNESCO-s për statusin ‘Njeriu dhe Biosfera'”

Aktualitet | 12 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar përvjetorin e shpalljes së Liqenit të Shkodrës si zonë e mbrojtur për të ndarë një lajm të rëndësishëm me publikun. Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se Shqipëria ka bërë një hap tjetër madhor drejt mbrojtjes dhe njohjes ndërkombëtare të këtij ekosistemi unik.

“Liqeni i Shkodrës, këtë fundjavë kremtoi përvjetorin e shpalljes si zonë e mbrojtur, me një lajm të bukur,” tha Rama.

Ai njoftoi se Ministria e Mjedisit sapo ka finalizuar aplikimin zyrtar pranë UNESCO-s për të përfshirë Liqenin e Shkodrës në programin e njohur “Njeriu dhe Biosfera” (Man and the Biosphere – MaB).

Sipas Kryeministrit, përfshirja në këtë program do t’i shtojë “trashëgimisë botërore një tjetër xhevahir shqiptar.”

Programi “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s synon vendosjen e marrëdhënieve të balancuara midis njerëzve dhe mjedisit të tyre natyror. Një Rezervë Biosfere nuk fokusohet vetëm tek ruajtja e biodiversitetit, por edhe tek zhvillimi i qëndrueshëm i komuniteteve lokale që jetojnë rreth saj.

Vendosja e Liqenit të Shkodrës në këtë listë do të rriste ndjeshëm vëmendjen ndërkombëtare, mundësitë për fonde të huaja për zhvillimin e qëndrueshëm dhe do të forcërte standardet mjedisore në këtë zonë.

Hapat e ardhshëm

Aplikimi i finalizuar nga Ministria e Mjedisit tani do të kalojë në shqyrtim nga organet përkatëse të UNESCO-s. Ky proces vlerësimi merr kohë dhe përfshin ekspertë ndërkombëtarë për të konfirmuar nëse Liqeni i Shkodrës plotëson të gjitha kriteret e rrepta për t’u klasifikuar si Rezervë Biosfere ndërkombëtare.

Nëse aplikimi do të miratohet, Liqeni i Shkodrës do t’i bashkohet zonave më të rëndësishme mjedisore në botë, duke përfaqësuar një sukses të madh për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes së natyrës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme