Rama: Opozita është drejt vetëshkatërrimit, do ketë rezultat më të keq se në ‘97

Kryeministri Edi Rama është shprehur se mënyra si funksionon sot opozita është vetëshkatërruese dhe penguese për vendin.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama tha se opozita në zgjedhjet e 11 majit do të marr një rezultat më të keq së në 1997, ndërsa shtoi se ajo nuk është në gjendje të ofrojë një alternativë të vërtetë, por përkundrazi, i shërben vetëm destruktivitetit politik.
“Nëse do ta bëja unë opozitën time, do ta bëja 1 mijë herë më mirë se këta. Këta nuk dinë të bëjnë opozitë, por dinë vetëm të vetëshkatërrohen dhe në vetëshkatërrim e sipër të pengojnë sa të munden Shqipërinë dhe t’u nxijnë jetën njerëzve. Prandaj më 11 Maj do të marrin rezultatin më të keq që nga 1997”, tha Rama.
Gjithashtu Rama u shpreh i tronditur nga ajo që ai e cilësoi si një pasqyrë e “kënetës mediatike” që, sipas tij, ushqen publikun shqiptar çdo mbrëmje me perceptime të shtrembëruara dhe konkluzione të çuditshme.
“Ishte një trishtim i madh se çfarë sheh dhe dëgjon populli shqiptar mbrëmjeve në pasqyrat e kënetës mediatike. Një tmerr, merreni me mend një nga konkluzionet që kishte nxjerrë sondazhi “ne jemi realisht më të mirët në Shqipëri, e them pa asnjë rezervë, sepse punojmë çdo muaj prej vitit 2007 me sondazhe dhe anketime dhe e dimë se çfarë mendon opinioni publik prandaj dhe unë nganjëherë kur vjen dita jam në gjendje të bëj “parashikimet”, por janë lexime të opinionit për prirjen e votës dhe kemi kapacitetin që t’i lexojmë dhe kuptojmë fare mirë sondazhet e tjera. Aty konkluzionet ishin njëri më çmendurak se tjetri, njëri më i pabesueshëm se tjetri.
Një konkluzion ishte që populli është i sëmurë, shqiptarët janë një popull i sëmurë që mendojnë se ky vend po shkon në drejtimin e duhur, një konkluzion tjetër ishte që ose këtu ka një autokraci me pasqyra moçalesh mediatike që çdo natë flasin nga këto lloj çmendurish. Si shpjegohet që BE dhe KE, të gjitha organizatat prestigjioze ndërkombëtare që luftojnë financat e vendit dhe luftën kundër korrupsionit etj. si shpjegohet që japin konkluzione se vendi po shkon në drejtimin e duhur? Budallenj janë dhe ata? Pastaj habiteni pse populli voton krejt të kundërtën e asaj që mendoni ju. Jo se është budalla, por është një popull i mençur që për politikë nuk ia ha qeni shkopin. Prandaj unë nuk i shoh këto spektakle të shëmtuara të dekadencës së mendjes njerëzor edhe shfaqje inatesh e mllefesh të verbër pasi është e pabesueshme, kur mendoj se me çfarë ushqehet populli çdo mbrëmje nga këta”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




